window.fbAsyncInit = function() { FB.init({ appId : '239313143246779', xfbml : true, version : 'v2.9' }); FB.AppEvents.logPageView(); }; (function(d, s, id){ var js, fjs = d.getElementsByTagName(s)[0]; if (d.getElementById(id)) {return;} js = d.createElement(s); js.id = id; js.src = "//connect.facebook.net/en_US/sdk.js"; fjs.parentNode.insertBefore(js, fjs); }(document, 'script', 'facebook-jssdk')); class="archive paged category category-lajmerime category-1 paged-2 category-paged-2 m-has-header-bg wpb-js-composer js-comp-ver-4.9.2 vc_responsive">

Lajmerime

Një mik apo një thesar

Titulli: “Një mik apo një thesar”

Autor: Edlira Gogu

Regjia: Mikel Kalemi

Interpretojnë: Ledian Gjeçi, Arbër Islami

Kukullat: Ana Guçe, Mei Bitri

Muzika: Eduard Rapo

Premiera: 16/10/2016

Çdo të shtunë, të dielë

Ora 11:00

Dy miq takohen në nje ditë të zakonshme. Të dy ishin me humor jo të mirë. Papritur ata zbulojnë një valixhe, për të cilën mendojnë se brenda ka thesar dhe nisin të grinden me njeri-tjetrin se kush e zbuloi I pari dhe kujt I takon. Kështu fillojnë të eksplorojnë thesarin brenda valixhes. Ata shohin se brenda saj nuk ka asnjë thesar, as ar, as para apo sende të çmuara. Brenda valixhes ndodhen objekte, në dukje pa vlerë. “Një mik apo një thesar” është premiera e dytë për fëmijë në Qendrën Kulturore Tirana (Teatri Metropol) që vjen në skenë këtë të diel, nga regjisori Mikel Kalemi. Vepra është e shkruar nga Edlira Gogu dhe në të interpretojnë dy aktorët Ledian Gjeçi dhe Arbër Islami. Dy miqtë, përmes një libri, që gjejnë brenda valixhes misterioze, na çojnë në botën e përrallave duke treguar disa prej fabulave më të njohura si: "Dhelpra dhe Korbi”, “Milingona e gjinkalla” etj. Në fund, pasi valixhja mbetet bosh, kuptojnë se nuk kishte asgjë me vlerë për ta, por zbulojnë se miqësia e tyre është gjëja më e çmuar që kanë. “Ky është dhe mesazhi që kjo shfaqje përcjell për publikun e vogël, është më mirë të kesh një mik se sa një thesar", shprehet regjisori Mikel Kalemi.

“Një mik apo një thesar” është një shfaqje ku gërshetohet loja e aktorëve (njerëz) me kukullat. “Është një shfaqje interaktive ku fëmijët bëhen shpesh pjesë e saj me kërcime apo mendimet e tyre… aktorët i pyesin vazhdimisht fëmijët duke ju drejtuar pyetje të ndryshme, për t’i bërë ata jo vetëm më të vëmendshëm po edhe të shprehin mendimin e tyre dhe të gjykojnë për ato që shohin e dëgjojnë ndërsa zhvillohen ngjarjet në skenë” shton regjisori. Kukullat interpretohen nga aktoret Ana Guçe dhe Mei Bitri. Muzika dhe efektet janë realizuar nga Eduard Rapo. Shfaqja do të jetë në skenë çdo të shtunë dhe të dielë, ora 11:00.

Gjyshja ka ikur me cirkun

Titulli: Gjyshja ka ikur me cirkun

Autor: Mike Kenny

Regjisor: Armela Demaj

Interpretojnë: Kastriot Ramollari, Klesta Shero, Ibrahim Selishta

Skena dhe kostumet: Ina Elezi

Ora 11:00

Çdo vit, nga fundi i verës pak para se të bien gjethet e pemëve, Ema shkonte të qëndronte te shtëpia e gjyshit dhe gjyshes në bregdet. Por ky vit ishte ndryshe nga vitet e tjerë, pasi nënë Kuini nuk ishte më. Edhe pse gjyshi dhe Ema i mbushnin ditët me aktivitete zbavitëse, përsëri ndihet mungesa e saj. Gjyshi nuk mund t’i tregoj Emës, arsyen e vërtetë të “humbjes” së nënës, ndaj i shpjegon asaj se nëna kishte ikur me cirkun. Ajo dukej si një grua e zakonshme, por zemra e saj kishte guximin e ekuilibristes trime, që ecën mbi litar.

“Gjyshja ka ikur me cirkun” është premiera më e re për fëmijë dhe të rinj në Qendrën Kulturore Tirana (Teatrin Metropol), e cila do të ngjitet në skenë këtë fundjavë. Historia e kësaj shfaqje e shkruar nga Mike Kenny është një përzierje e zgjuar e realitetit të dashurisë familjare me fantazinë e fëmijëve për botën e përjetshme të cirkut.

Vepra, vjen në skenë nga regjisorja Armela Demaj dhe interpretohet nga aktori Kastriot Ramollari, në rolin e gjyshit, Klesta Sheros në rolin e Emës dhe Ibrahim Selishtës, në rolin e pantonimistit. “Gjyshja ka ikur me cirkun” është një vepër e trajtuar në mënyrë sa më të thjeshtë dhe sa më të pranueshme per tematikën e saj” shprehet regjisorja Armela Demaj. Kjo vepër, trajton tema të tilla si; dashuria famijare, përballja me humbjen e njerëzve të afërt, marrëdhënien midis brezave apo zhvillimi i imagjinatës tek fëmijë. Ndërkohë “Eye Weekly” shkruan për shfaqjen se është një teatër për fëmijë ambicioz dhe fëmijët në vitin 2016 janë një audiencë shumë e sofistikuar.

“Eshtë një zgjedhje e guximshme artistike dhe njëkohësisht teatër i rritur për fëmijët apo teatër fëmijësh, për të rriturit. Vepra është shkruar bukur, me një thjeshtësi të rrallë dhe përsëritje poetike e ritmike të tekstit, loja mbaron aty ku duhet të fillojë. Historia e vërtetë është se si ne jetojmë me humbjen, se si ne jetojmë me gëzimin, me guximim… Kjo është një sfidë komplekse dhe pafund e vështirë për të cilat nuk ka përgjigje të lehta”, shkruan Lisa Keating. Shfaqja zgjat rreth 45 minuta dhe do të jetë në skenë çdo fundjavë, në sallën “Çehov”, ora 11:00.

Nata Arabe

Titulli: Nata arabe

Autor: Roland  Schimmelpfennig

Regjisor: Stefan Çapaliku

Përktheu: Pandeli Pani

Interpretojnë: Ema Ndoja, Naun Shundi, Dasara Xhangolli, Erion Hinaj, Jozef Shiroka

Skenografia: Zef Paci

Kostumografia: Jonida Beqo

Premiera: 29 shtator (30, 1, 2, 7, 8, 9 tetor)

Ora 20 : 00

Salla “Çehov”

Qendra Kulturore Tirana (Teatri Metropol) çel sezonin e dytë artistik me veprën “Nata Arabe”. Një dramë e shkruar nga Roland Schimmelpfennig, bazuar në “Përrallat e njëmijë e një netëve” me regji të Stefan Çapalikut. Kjo shfaqje rikthen pas një kohe të gjatë në skenë, aktoren shqiptare Ema Ndoja, e cila është një nga personazhet kryesor të veprës, në rolin e Franciska Dehke. Shfaqja flet për jetën e pesë banorëve të vetmuar të një gradacele, të cilët rrëfejnë jetët e tyre. Paralelisht me çfarë ata tregojnë në lidhje me përvojat e tyre gjatë një nate të nxehtë të verës, në kokën e dëgjuesit vijnë e formohen pikëpamje dhe asociacione të mjaftueshme për të vizatuar një panoramë të përgjithshme, si të ishte me fijet e një qilimi. Kjo vepër vjen si një  bashkëpunim ndërmjet Teatrit të Metropolit dhe Qendrës Gëte, vepër e përzgjedhur nga aplikimet për projekte të shpallura gjatë muajit prill. “Dramaturgjia gjermane është më avandgardja në botë. Eshtë një vepër pa dialog, ku pesë monologjet lidhen për të formuar një histori. Autori ka sjellë një bashkim të dy miteve arabe, përrallës legjendare dhe legjendës urbane, sot. Publiku duhet të vijë me mendje të hapur dhe të paanshëm. Tregimi, nuk është punë fizike, por mentaliteti dhe narrative e zhytur në mendime”. “Nata arabe” është shfaqur për herë të parë në vitin 2001 dhe nga teksti i Roland Schimmelpfennig buron tension dhe thuren historitë, që nga fillesat e thjeshta deri te strukturat më komplekse të narracionit. “Janë pesë monologje që personazhet kryqëzohen në mënyrë arrabeske, me një stil arabik, të cilët janë në udhëkryq, janë enigmatikë, midis ëndrrës dhe realitetit, midis fizikes dhe mendimit. Kthimi im në Shqipëri, e veçanërisht në këtë shfaqje ishte një mall, për të qenë përsëri në skenë”, shprehet aktorja Ema Ndoja. Ndërkohë për aktorin Naun Shundi vepra “Nata arabe” është një vepër shumë inteligjente dhe njëkohësisht shumë e vështirë, e cila ka nevojë për vëmendjen e publikut për të kuptuar dhe të mishëruar. “Autori, i cili ka punuar në Stamboll për një kohë si gazetar, pason këtu me përshkrimin e të nxehtit shtypës të Orientit, që e bën çdo lëvizje një përpjekje titanike dhe që drejton shpirtin në thellësitë e ndjenjave të padeshifrueshme. Frika dhe dëshira nuk janë më pa fjalë në tekstin e tij. Ata duket se vijnë nga përrallat e "Një mijë e një netëve", larë në djersë, fill pas gjumi. Ëndrra është e gjatë dhe shqisat janë kapur në fyt prej përvojash dhe ankthesh”, shpjegon regjisori Stefan Çapaliku. Sipas tij, nga pikëmapje e teknikës dramaturgjike e veçanta e këtij teksti  është mungesa e dialogjeve dhe ndërthurja e pesë monologeve në një “gërshet” të gjatë, të bukur e të pambarimtë. “Çdo gjë nis e nuk mbaron në një muzg vere, që është finalja e trishtë e ditës më të nxehtë të vitit, diku në një pallat shumëkatësh, në periferinë e një qyteti të madh apo në periferinë e vëmendjes sonë qytetare. Prozaizmi i një situate të stërpërsëritur të mbaspunës ka për mbarim poezinë metafizike të përrallave arabe dhe shtegëtimin drejt të panjohurës njerëzore. Shfaqja do aktualizojë këtë tekst në linjat e relitetit tonë suburban me anën e një procesi artistik të teatrit alternativ”, thotë ai.
Shfaqja do të jepet në datat  29 e 30 shtator, 1, 2, 7, 8, 9 tetor. Salla “Cehov”, ora 20:00.

Përgjigjet e Audicioneve

Duke ju falenderuar për pjesëmarrjen në audicione, kemi kënaqesinë të shpallim kastin e dy prej premierave të sezonit të vjeshtës në Teatrin Metropol.

TRE DHENDURET nga Dionis Bubani, me regji të Sonila Kapidanit. Intrepretojnë:

MENTARI – Gezim Rudi
DUDUMI – Pjerin Vlashi
XHEVAHIRI – Aleksander Kondi
BENIAMINI – Lindar Kraja
ZENUNI – Roerd Toce
EDUARDI – Margent Caushi
FLUTURA – Linda Jarani
*me pjesëmarrjen e veçante të Hajrie Rondos në rolin e SANIJES
SANIJA II – Elona Hyseni

MENDOHU XHIAKOMINO nga Luigi Pirandello, me regji të Milto Kutalit. Intrepretojnë:

XHAKOMINO – Amri Hasanlliu
LILJANA- Paola Kodra
CINKUEMANI- Arben Derhemi
MARJANA- Marjana Kondi
ROZARIA- Klodjana Keco
AT LANDOLINO- Redjan Mulla
KAVALIER DIANA- Alert Celoaliaj
FILOMENA- Merita Dabulla
NINI- Ezra Vogli
*dhe me pjesëmarrjen e veçante të Robert Ndrenikës në rolin e TOTIT

Audicion

Në datat 27-28 Qershor, 0ra 10:00-13:00,  jeni të ftuar të merrni pjesë në audicionin e përbashkët që do të zhvillohet për dy shfaqje:

Shfaqjen “Tre Dhëndurët” nga autori i njohur i komedive shqiptare Dionis Bubani  dhe “Mendohu Xhiakomino” nga nobelisti Luigi Pirandello.

Këto  vepra do të vihen në skenë për sezonin e dytë të vitit 2016 në Teatrin e Metropolit, përkatësisht me regji nga Sonila Kapidani dhe Milto Kutali, e para është komedi e shkëlqyer karakteresh e situatash e vendosur në një familje shqiptare gjatë përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa e dyta një vepër që i përket verizmit italian ku sigurisht situatat dhe karakteret gati hyperealiste provokojnë më së shumti një realitet të jetuar.  Përthyerja e kësaj vepre me vlera universale në realitetin social aktual në Shqipëri përafron mjedise dhe situata prezente e që bëjnë pjesë të mendimit dhe përzgjedhjes filozofike edhe në vetë audiencën publike.

Audicioni do të zhvillohet për këto role:

Tre Dhëndurët

  • Mentari – në të 40-tat, avokat, babai i familjes.
  • Sanija – në të 35-tat, shtëpiake, e shoqja e Mentarit.
  • Flutura – në të 20-tat, e bija e Mentarit dhe Sanijes.
  • Dudumi – vëllai i Sanijes, Cifligar.
  • Xhevahiri – kushëri i largët i Mentarit, sekser.
  • Beniamini – dhëndri i parë, djalë i një ministri fashist.
  • Zenuni – dhëndri itretë , qeraxhi në shtëpinë e Mentarit.

“Mendohu Xhiakomino”

  • Xhiakomino Delizi – një i ri tek të 20-at, aktualisht punonjës banke.
  • At Landolina – Përfaqësues i Kishës, rreth 30-40 vjeç.
  • Rozaria – Motra e Xhiakominos, njëherazi edhe si nëna e tij, tek të 50-at.
  • Drejtori i Shkollës – Përfaqësues i autoritetit mësimor, rreth 35-45 vjeç.
  • Lilina –  16-19 vjeç, vajzë e një familje nga shtresa e ulët dhe shtëpiake.

Aktorët e interesuar për shfaqjet duhet të kontaktojnë në e-mail qendrakulturore@tirana.al në lidhje me udhëzimet mbi skenat që duhet të përgatisin si dhe të përgatisin një monolog komik që e kanë në repertor jo më tepër se 4 minuta.

 

Besojmë të kalojmë dy ditë të gjalla dhe me produktivitet së bashku dhe ju urojmë sukses!

 

Qiell i Heshtur

Autori: Loren Gunderson

Përktheu: Jonida Beqo

Regjia: Armela Demaj

Interpretojnë: Nigela Ruka, Sonila Kapidani, Redjan Mulla, Jonida Beqo, Verjana Abazaj

Kostumet: Ina Elezi

Efeket vizuale: Elian Stefa

Gjinia: Komedi romantike

Premierë: 5 Maj 2016

Salla: “Shekspir”

Ora 20:00

Datat: 5, 6, 7, 8, 13, 14, 15, 20, 21, 22 Maj

Këmbëngulja, energjia, pasioni dhe vizioni e bëjnë një vajzë të brishtë nga Bostoni të ndjek ëndrrën e saj. Jeta mahnitëse e astronomes Henrieta Levit; një nga astronomet e para në Harvardin e 1900-ës dhe grave të tjera që realizuan hartën e yjeve në univers, vjen për herë të parë premierë në Shqipëri.

“Qiell i heshtur”, një komedi romantike, gjysmë biografike e shkruar nga Loren Gunderson është premiera e dytë e Qendrës Kulturore Tirana (Teatri Metropol) që do të vij premierë datën 5 maj 2016, ora 20:00 nga regjisorja Armela Demaj.

 “Qiell i heshtur” është një ndodhi njerëzore, që i flet shoqërisë, dje dhe sot. Është nje vepër, e cila flet për marrëdhëniet familjare, besimin në fuqinë e mendjes dhe shpirtit, mbështetjen dhe solidaritetin, këmbënguljen për të kërkuar dritë në thellësitë e pandriçuara dhe mënyra shprehëse të reja me qëllim një pamje më të qartë dhe kontribut në begatinë e njeriut.

Kjo premierë vjen si një vlerësim për kontributin e këtyre grave që bën histori në botë.

“Për mua është nder dhe përgjegjësi shumë e madhe, që të rimishëroj këto personazhe, të cilat kanë qenë gurë i rëndësishëm në historinë e zhvillimit botërorë. Është nder, pasi janë pikërisht personazhet, të cilët nuk janë falenderuar dhe nuk kanë marrë meritë.”, shpjegon regjisorja Armela Demaj.

Ngjarja zhvillohet kryesisht në Observatorin e Harvardit dhe skena dominohet nga prania e yjeve, pasionit të njerëzve që e duan punën dhe dashurisë së tyre për njëra-tjetrën. Puna dhe pasioni i Levit, vuri themelin astronomik të matjes së distancës së dritës në univers dhe provoj se universi nuk ishte thjesht galaktika Udha e Qumështit, siç supozohej deri në atë kohë. Me punën e saj dhe të kolegëve, Henrieta,  lufton kundër stereotipeve për aftësitë dhe kontributet e grave në fushën e shkencës.

 “Ndërlidhja e dashamirësia që ne duhet të kemi, për ti dhënë dorën njëri-tjetrit, për ta ndihmuar në momente vështirësie, për t’a duartrokitur në momente triumfi është ajo çka trajtohet në këtë vepër dhe shoqëria ndjen nevojën që ti ketë”, thotë regjisorja.

“Qiell i heshtur” është historia e njerëzve, të cilëve pasioni i çon përtej limiteve që shoqëria iu vë. Dhe vetëm duke thyer këto barriera njeriu arrin të zhvillohet, të bëj kapërcime politike, që nuk janë vetëm vlerë individuale por edhe botërore. Këto gra punonin në Universitetin e Harvardit në Observatorin e Studimeve Hapësinore, pasioni për të ditur dhe për të arritur më shumë, i bëri që të hynin në histori për zbulimet e tyre. Ishin ato që sollën ndryshime rënjësore në sistemin e të menduarit në shoqërinë botërore, dhe kjo ndodhi duke sakrifikuar marrëdhënie familjare, marrëdhënie sentimentale, pasi diçka më e madhe se ato i tërhiqte drejt epokës së re”, thotë regjisorja Armela Demaj. Sipas saj, vepra është e ndërtuar në formën e një komedie romnatike, por ka përplasje shumë të mëdha midis shkencës, jetës, galaksisë përtej nesh dhe njëkohësisht galaksisë brenda nesh.

“Për mua është nder dhe përgjegjësi shumë e madhe, që të rimishëroj këto personazhe, të cilat kanë qenë gurë i rëndësishëm në historinë e zhvillimit botërorë. Është nder, pasi janë pikërisht personazhet, të cilët nuk janë falenderuar dhe nuk kanë marrë meritë. Kjo shfaqje bëhet në nder të tyre dhe është premierë në Shqipëri”, shpjegon regjisorja.

Gjithashtu trajtimi nga ana stilistike e veprës, është mbajtur në një trajtim minimalist duke ruajtur tiparet e kohës por nëpërmjet një interpretimi realist. Muzika është e gjallë në pjesën më të madhe të shfaqjes e interpretuar në skenë. Kostumet, gjithashtu të punuara nga Ina Elezi janë të epokës. Ndërkohë efektet vizuale janë realizuar nga Elian Stefa.

Henrieta Levit, është një figurë femërore që ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në botën astronomike, studimet e së cilës kanë shërbyer për vazhdim të eksplorimeve nga shkencëtarë të tjerë, vjen në skenë nga aktorja Nigela Ruka.

Margarita, është motra e Henrietës, një vajzë e devotshme, që jeton sipas rregullave të komunitetit dhe kujdeset për pjesëtarët e familjes ndërkohë, që nuk lë pianon dhe kompozimet pas dore, vjen në skenë nga Sonila Kapidani.

Dy figura të tjera, mjaft me rëndësi në botën e shkencës, Eni Kanon dhe Amina Fleming, që sjellin dy përvoja të tjera jetësore po aq këmbëngulëse dhe po aq luftarake në mënyrat e tyre, vijnë në skenë nga Jonida Beqo dhe Verjana Abazaj.

Ndërsa Piter Shoo, një personazh romantik i trilluar nga autorja, që e ka rehatinë e një terreni të gatshëm ku mund të punojë dhe një kornizë të përgatitur nga prindërit në të cilën do të jetojë, por që bie në dashuri me Henrietën, interpretohet nga Redjan Mulla.

Njoftim për shtyp!

Qendra Kulturore Tirana (Teatri Metropol) do të organizoj nesër (e enjte) datë 14.04.2016 koncertin “Valle Pranverore” të Ansamblit Folklorik Tirana. Është një koncert, i cili përfshin këngë e valle kryesisht të Shqipërisë së Mesme, si “Vallja e Skënderbeut”, “Vallja e Zyleve”, “Vallja e Tironës”, “Vallja e Napolonit” etj. “Realizimi i këtij koncerti është që ti sjellim publikut pak harmoni nga tradita, kultura dhe vlerat tona folklorike. Ansambli Tirana përgjithësisht përbëhet nga të rinj duke filluar nga mosha 16- 20 vjeç dhe për t’u vlerësuar është fakti që këta të rinj e duan dhe e kanë pasion vallen shqiptare. “Padyshim është detyrë e jona të ruajmë traditën dhe mënyrën sa më pastër të valles, duke mos u influencuar nga ndërhyrjet e shumta, që bëhen sot në traditë”, shprehet koreografi i Ansamblit, Donald Martini.

Ansambli Folklorik Tirana është themeluar në vitin 1978. Ai vjen nga një traditë e gjatë e ansamblit popullor dhe është i përbërë nga një grupim artistësh, të cilët mbajnë gjallë, ruajnë dhe kultivojnë muzikën popullore shqiptare, këngët dhe vallet tradicionale të Tiranës dhe Shqipërisë së Mesme. Edhe pse fokusi i tyre është Shqipëria e Mesme, repertori kryesor i Ansamblit Folklorik “Tirana” është i pasur dhe përfshin te gjithë traditat muzikore të mbarë Shqipërisë.

Koncerti i nesërm do të zgjas rreth një orë, ku do të ketë gërshetim të këngëve dhe valleve shqiptare. “Ansambli Folklorik Tirana është i vetmi ansambël, që ka si specifik të vetën të merret me vallen e Shqipërisë së Mesme dhe përpiqet të ruaj autenticitetin duke iu larguar klisheve dhe përpunimit modern”, shprehet Martini. Asambli Folklorik Tirana ka në përbërje të vetë rreth 10 çifte të rinjsh, djem e vajza, të cilët janë përzgjedhur me audicion për të qenë pjesë e këtij formacioni.

Ansambli “Tirana” është i vetmi entitet gjithëpërfshirës i këtij lloji në rajon dhe një aset i rëndësishëm kulturor për kryeqytetin. Ansambli “Tirana” është një laborator ku ndërthuren se bashku brezi i vjetër i artistëve me të rinjtë.

Në repertorin e këtij Ansambli përfshihen një grup vallesh, një seksion instrumental, dhe një regjistër të solistëve dhe këngëtarë ansamblit. Muzika, instrumentet dhe kostumet janë autentike të Shqipërisë. Shfaqjet e Ansamblit përfshijnë lloje të ndryshme të kostumeve nga krahina të ndryshme të vendit, si dhe instrumente të veçanta muzikore që janë bërë nga ana e instrumentistëve tradicionale. Ansambli “Tirana” është fitues i shumë çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ky ansambël zhvillon koncerte të ndryshme në Tiranë, por merr pjesë edhe në Festivale Kombëtare dhe Ndërkombëtare të Folklorit. Gjithashtu, merr pjesë në të gjitha aktivitetet artistike të organizuara në bazë të kalendarit artistik të Bashkisë së Tiranës dhe Qendrës Kulturore Tirana.

 

Ritual Moods

Ritual Moods

Tinguj pianoje, eksperimentime mbi të, me hark a makinë roje, interpretim në kitare, saze e def, kjo është atmosfera që do të përfshijë, sallën “Shekspir” në Teatrin Metropol. Për herë të parë në Tiranë, poli- instrumentisti Robert Bisha vjen me projektin e tij në piano solo “Ritual Moods”, këtë të enjte, në datën 7 prill 2016, ora 20:00.

Pas koncertit të Gent Rushit, ky është koncerti i dytë i organizuar nga Qendra Kulturore Tirana, i cili vjen në vazhdën e aktiviteteve të tilla artistike, për të promovuar vlerat më mira kombëtare dhe mbarëkombëtare.

Rikthehet pas shtatë vitesh në Shqipëri, e pikërisht ky koncert në Teatrin e Metropolit e bën të ndieht edhe më shumë emocionues. “Jam pak i emocionuar për koncertin dhe e pres me shumë dëshirë. Do të jetë një koncert shumë i ngrohtë si vetë skena “Shekspir” në të cilën unë luaj për herë të parë. Publiku i ulur rreth pianos, më ngjan si një tryezë, ku mund të takohemi së bashku nëpërmjet tingullit”, shprehet Roberti pak ditë para koncertit. Ka ikur nga Shqipëria 16 vjeç drejt Italisë, ku edhe njihet së tepërmi për artin e tij. Ndërkaq “Ritual Moods” është një koncept i vjetër, me të cilin performon në vende të ndryshme, koncerte të reja.

“Puna  ‘Ritual Moods’ për piano solo ka një strukturë gjeometrike të paramenduar, një arkitekturë, forma vjen duke u kompletuar gjatë performimit live. Kur ndodhem në skenë, improvizoj këngë të shkurtra me intervale tipike të folklorit, të cilat në pjesën më të madhe jo domosdoshmërisht kanë ekzistuar më parë. Kjo, sepse për mua është thelbësore të vihem në marrëdhënie me  procesin krijues të drejtpërdrejtë mes folklorit dhe improvizimit”, shprehet Robert Bisha. Koncerti do të zgjas 75 minuta, ku do të interpretohen numra të ndryshëm muzikor, ndërkohë të ftuar special gjatë koncertit janë Albanian Iso- Polyphonic Choir.

(more…)

Koncert me rastin e 50 vjetorit te krijimit te saj

Banda e Tiranës mbush 50 vjeç. U krijua në shkurt të vitit 1966 nga Komiteti Ekzekutiv i Tiranës si një nevojë për të përballuar aktivitetin artistik të kryeqytetit. Fillimisht, si një orkestër frymore amatore, e cila me kalimin e viteve u bë Orkestra Frymore Profesioniste e Tiranës.

Për këtë përvjetor të saj, Banda e Tiranës, e cila është në varësi të Qendrës Kulturore “Tirana” do të mbaj nesër, datë 26.02.2016, një koncert përkujtimor në ambjentet e Qendrës Multifunksionale TEN. Koncerti është ideuar të ketë interpretime të ndryshme nga repertori i vetë Bandës ndër vite, duke filluar që nga Himni, marshet klasike, popullore e pjesë të ndryshme muzikore. Gjithçka interpretohet live. Por nuk do të mundojnë dhe diskutimet e kujtimet nga ish-anëtarët e Bandës së Tiranës. Do të ndahen çertifikata mirënjohjeje dhe do të promovohet libri “Orkestra Frymore e Tiranës” i autorit Sirri Rroji, dirigjentit të parë të Bandës së Tiranës. “Krijimi dhe organizimi i një orkestre të madhe frymore nuk ka qenë një proces i lehtë dhe nuk ka ecur gjithmonë në një rrugë të shtruar. I ri në profesionin e dirigjentit nuk e kisha përvojën e duhur për të drejtuar një orkestër me formacion të madh dhe aq më tepër me muzikantë amatorë. Disa prej tyre kishimin mësuar instrumentet gjatë zborit ushtarak në Orkestrës Frymore të Ushtrisë. Aq më tepër mungesa e intrumenteve përbentë një problem real. Më të shumtat prej tyre i siguruam përmes njohjeve personale”, shkruan mes rreshtat Sirri Rroji.

Orkestrat frymore janë quajtur dhe quhen ende me emrin “Banda”, të cilat përbëhen nga një grup muzikantësh të cilët luajnë së bashku. Sipas Rrojit, qyteti i Tiranës nuk ka pasur një orkestër frymore të vetën, të përhershme. Por me shpalljen e Tiranës Kryeqytet i Shqipërisë në të kanë ushtruar aktivitet disa orkestra të tilla. E para prej tyre ishte “Banda Presidenciale Shqiptare” e drejtuar nga Thoma Nasi. Pas saj, me shpalljen e Shqipërisë Mbretëri në vitin 1928 krijohet “Banda Muzikore Mbretërore”, e cila me pushtimin e vendin nga Italia mbetet si bandë shtetërore.

Në vitin 1966 komiteti Ekzekutiv i Tiranës vendosi krijimin e Orkestrës Frymore Amatore të Qytetit me dirigjent Sirri Rroji, përgjegjës artistik dhe organizativ Riza Madhin, Viktor Shirokën, Kristofor Qorrin, Beniamin Krutën, Muharrem Lucën, Konstandin Topi si dhe 64 instrumentistë, të gjithë në moshë të re.

“Fillimisht punohej 2 – 3 orë në ditë, derisa orkestra u konsolidua nga ana tekniko – profesionale. Më pas në bazë të programit të Ministrisë së Kulturës dhe Arsimit si për të gjitha orkestrat frymore të vendit puna në orkestër u reduktua në tri ditë në javë. Pavarësisht se ishte institucion amator, Banda e Tiranës ekzistonte si një entitet shtetëtor dhe administrative.

Aktualisht Banda e Tiranës përbëhet nga 39 instrumentistë, ku në përbërje të saj ka saks, klarinetë, tromb, trombonë, korno, tenor, bass, perkusione, flaut, etj.

Banda e Tiranës si formacion muzikor I lëvizshshëm kaë aftësinë të komunikojnë drejtpërdrejtë me publikun, duke dhënë koncerte në natyrë, në sheshe e në çdo ambjent, duke pasur kontakt me të gjithë shtresat e shoqërisë në çdo ditë feste a aktivitet të organizuar nga Bashkia e Tiranës dhe Qendra Kulturore Tirana.