window.fbAsyncInit = function() { FB.init({ appId : '239313143246779', xfbml : true, version : 'v2.9' }); FB.AppEvents.logPageView(); }; (function(d, s, id){ var js, fjs = d.getElementsByTagName(s)[0]; if (d.getElementById(id)) {return;} js = d.createElement(s); js.id = id; js.src = "//connect.facebook.net/en_US/sdk.js"; fjs.parentNode.insertBefore(js, fjs); }(document, 'script', 'facebook-jssdk')); class="archive category category-lajmerime category-1 m-has-header-bg wpb-js-composer js-comp-ver-4.9.2 vc_responsive">

Lajmerime

Audicion për aktorë dhe aktore

Teatri Metropol shpall Audicion për aktorë meshkuj 20-50 vjeç, aktore femra 25-60 vjec për dramat “Loja e Pasdrekës” Martin Camaj, “I biri i Begut” Milo Duçi dhe “Armiqtë” Shpëtim Gina  që do të ngjiten në skenë në ditët e Festivalit METROFEST me regji nga Shkëlzen Berisha, Joana Omeraj dhe Xhuliano Brisku. Audicionet zhvillohen në Teatrin Metropol më 04 Korrik ora 19.00

“Loja e Pasdrekës”

Aktorët që janë të interesuar për të marrë pjesë në audicion duhet të familjarizohen me materialet e shkëputura nga teksti  të cilat vijojnë më poshtë dhe do të ishte e dëshirueshme prezantimi i ndonjë poezie në dialektin gegë. 

Zeka:

Edhe lules së kuqe ia ngjitëm emrin “lule gjaku”. Sa mote kaluen, pesëdhjetë? Kështu na kanë kalue vjetet tu u grindë si derra ndër vedi, njëqind e pesëdhjetë, treqind e ma shumë. Cka ke ti? Mue më pëlqen ky mantel! Më ke qitë dicka ndërmend: po qe se ashtë e vërtetë se ashtë mantel gjyqtarësh, do ta vesh e do të dal nëpër fis për të pajtue gjaqet. E do të më thonë: gjyqtari i paqit! Ata që nuk më thonë kështu, ma shohin sherrin në vend! Kryeshpuem, do ta shaj edhe gjyqtarin e hetimit. Do ta pyes: a ma ke dhanë ti këtë mantel? Po! A e barin vetëm gjyqtarët? Po! Atëherë d’ t’i thom se ai, në atë çast që ma ka dhanë, më ka emnue gjyqtar. Më lësho vendin se due me gjykue! Me e ditë ju, sa herë i kam dhanë këshillë gjyqtarit që t’i ndreqë ngatërresat e malësorëve! Ku di ai ma mirë se unë se si bahet pleqnia? Unë, do t’i thom atij: “unë me shprazë tash sa vjet kryet tim për të mbushë atë radake gjyqtari që vetëm dushk ka mbrendë?”

 

Jonja:

Në dimën do ta kishe ndeshë fort lehtë Zekën. Verës, s’ka dreq që e zen. Ashtu i shqepët si ashtë, tue ecë rrap-cap, këput brija e shtigje dhe zhduket mbas malit si era! Atij hapin ia ndal vetëm bora. Në borë e zen për rrugë kushdo, edhe ai fëmijë atje, pse kur Zeka e qet kambën e shëndoshë përpara, e sëmuna i ngel prapa dhe e ngreh borën me të, si rashqel sane, e lodhet… Por rueju e mos u ndal fort gjatë në kuvend me Bjeshkën. Grueja e Zekës asht  e bukur, e re. Po pau Zeka se i sillesh të shoqes rrethazi, ti ose ndokush tjetër, të gjuen rrëfeja përnjimend. Unë as pesë qindare nuk kisha me i dhanë për lëkurën tande.

 

“I biri i Begut”

  • Femer aktore nga mosha 45-60 vjec
  • Meshkuj aktor nga mosha 20-30 vjec

Monolog i shkurter të cilin e keni të përgatitur më parë dhe lexim te nje pjese nga teksti. (Do t’iu jepet gjatë audicionit)

“Armiqtë”

Katër aktorë meshkuj mbi moshën 23 vjeç.

Monolog i shkurter të cilin e keni të përgatitur më parë dhe lexim te nje pjese nga teksti. (Do t’iu jepet gjatë audicionit)

Lihnida

“Lihnida” historia si u krijua liqeni i Ohrit, kjo përrallë në balet vjen premierë në Qendrën Kulturore Tirana (Teatri Metropol) të shtunën datë 20/05/2017 nga Rudina Demaliaj. “Lihnida” një libret i shkruar nga Sonila Kapidani, e cila është bazuar mbi legjendën e fshatit të Mokrës “Si u përftua Liqeni” shkruar nga Ramadan Sokoli.
Përralla balet interpretohet nga fëmijët e grupmoshës 7-10 vjeç, me të cilët Demaliaj punon prej një kohë të gjatë.

 

Lihnida-A5

Koncert “Treni i tingujve”

Qendra Kulturore Tirana, (Teatri Metropol) në kuadër të gamës së gjerë të aktiviteteve të ndryshme artistike, në datën 11/05/2017, ora 20:00, organizon koncertin recital “Treni i tingujve”, të pianistit Lambert Jorganxhi. Ky koncert është i katërti në rradhë i Qendrës Kulturore Tirana, pas koncerteve të muzikantëve, Gent Rushi me “Jazz Albania”, koncertin “Ritual Moods” të piniastit Robert Bishës dhe “Hana e Plotë” nga Vlashent Sata.
Koncerti “Treni i tingujve” do të mbahet në sallën “Shekspir” të Teatrit Metropol. Gjatë këtij koncerti Jorganxhi do interpretoj në piano i shoqëuar live nga All In Band dhe nga këngëtarët me të cilët ka bashkëpunuar si Rezarta Smaja, Klajdi Musabelliu, Sheila Haxhiraj, Emi Bogdo, Andi Stafuka, Savjana Vjerdha, Anisa Smajlaj, Nilsa Hysi, Stiv Mello, Filonid Aliu, Erina Seitllari. Koncerti zgjat 90 minuta.

seprapthi-cover

Së Prapthi

Titulli: Së prapthi
Autor: Katerin Braier & Natasha Holms
Interpretojnë: Klesta Shero, Roerd Toçe
Skenografia: Hysni Loka
Kostumet: Ina Elezi
Premiera: 6,7 maj
Ora: 11:00
Qendra Kulturore Tirana (Teatri Metropol) sjell këtë fundjavë për publikun e vogël premierën “Së prapthi”, me regji të Aldi Hysotoçit. “Së prapthi” është një shfaqje interaktive dhe argëtuese, është shfaqja e dytë e këtij lloji që Teatri Metropol vë në skenë, pas suksesit që patëm me shfaqjen “Zgjohu vëlla arush” ku fëmijët – publik bëjnë vetë shfaqjen, bashkë me dy aktorët Klesta Shero dhe Roerd Toçe.
Personazhet janë dy: motër e vëlla. Ngjarjet zhvillohen në dhomën e tyre të gjumit, para se të flenë nisin një rrëmujë të madhe duke luajtur. Gjatë kësaj kohe vëllait i humbet kapelja e tij e preferuar, motra më e vogël duke parë që vëllai është shumë i mërzitur fillojnë aventurat në gjetjen e kapeles . Sa më shumë lojra dhe kërkime aq me shumë rrëmujë dhe argëtim. Pas shumë aventurash dhe kërkimesh ata gjenden në një ishull të vetmuar. A do ta gjejne kapelen speciale të vëllait dy personazhet tani?!
A do ta rregullojnë rrëmujën ?!
Ejani ta zbulojmë së bashku.

Mendohu Xhakomino

Titulli: Mendohu Xhakomino

Autori: Luixhi Pirandelo

Përktheu: Amik Kasoruho

Regji: Milto Kutali

Interpretojnë: Robert Ndrenika, Amri Hasanlliu, Paola Kodra, Arben Derhemi, Marjana Kondi, Klodjana Keco, Redjan Mulla, Alert Çeloaliaj, Merita Dabulla, Ezra Vogli

As. regji: Aldi Hysotoçi

Skenografia:  Beqo Nanaj

Premiera: 8 shkurt

Ora 19:00

Vepra e njohur e nobelistit Luixhi Pirandelos “Mendohu Xhakomino” vjen për herë të parë në Shqipëri, në sallën “Çehov” datë 8 shkurt, ora 19:00.

“Mendohu Xhakomino” është një vepër e shkruar në 1917, aktuale dhe gjithëpërfshirëse edhe në ditët e sotme, duke pasur ngjashmëri me aktualitetin shqiptare. Eshtë një vepër që flet për humanizmin njerëzor, për të cilin mjedisi shqiptar ka aq shumë nevojë. Pamundësia, paradokset ekzistenciale të individit, rolet e dyfishta, kriza e identitetit, etj, janë tematika që trajtohen në këtë vepër.

Vepra është e ndarë në tre akte dhe ngjarjet zhvillohen përkatësisht në një korridor gjimnazi, pas orës së mësimit. Në shtëpinë e profesor Totit, pas afro 2 vjetësh dhe në familjen Delizi, pas dy vjetësh të tjerë. Personazhet e karakteret e kësaj vepre kanë nota të theksuara humori. “Mund ta shohësh si vepër lirike, pasi Pirandelo i cilëson komedi veprat e tij, nga ndërtimi i disa karaktereve, të cilët shprehin natyrshmërinë e njerëzve të thjeshtë, provokojnë të qeshurën dhe kanë një lloj humori të begatë në vepër. Profesor Toti është një njeri shumë fin, i cili, vë në lojë gjithë këtë shoqëri, e cila duket sikur bën për njeriun, por në fakt nuk bën asgjë”, shprehet regjisori Milto Kutali. “Me shume sinqeritet dua të them se respekti  dhe kujdesi që është treguar ndaj këtij projekti  artistik, ku përben një nga momentet më të rëndësishme dhe të jetës sime. Kam pasur shumë dëshurë që Robert Ndrenikën ta kisha në shfaqje që në vitin 1990, kohë kur sapo kisha mbaruar studimet dhe kisha paraqitur veprën “Ana Kristi”  të një nobelisti amerikan. Pas 26 vitesh edhe më shumë unë pata rastin te gjej një bashkëpunim me një aktor të këtij kalibri si artisti i nderuar, Robert Ndrenika apo edhe e gjithë pjesa tjetër e kastit”,  shpjegon më tej regjisori.

 

***

Në qendër të veprës “Mendohu Xhakomino”, është profesor Toti (Robert Ndrenika),  një burrë rreth të 70-ve, i cili nuk ka krijuar familje, është human dhe sakrifikon veten për gjeneratën e re. Ai bën një martesë fiktive me Liljanën (Paola Kodra), (vajzën e rojës së shkollës (Arben Derhemi)) e cila ka mbetur shtatëzënë me Xhakominon (Amri Hasanlliu), një nga ish-studentët e preferuar të profesor Totit. Këtë akt human të profesor Totit nuk mund ta pranojë dhe ta kuptojë opinioni i gjerë duke filluar nga: drejtori i gjimnazit (Alert Çeloaliaj), prindërit e Liljanës (Marjana Kondi dhe Arben Derhemi), motra e Xhakominos (Klodjana Keco), si dhe kisha e përfaqësuar prej At Landolino (Redjan Mulla), madje dhe vetë Xhakomino nuk arrin të kuptojë altruizmin e Totit. Profesori me durim dhe përkushtim i kundërvihet të gjithëve, pasi me të është e drejta humane. “Kjo sipërmarrje e profesor Totit, që është kryeprotagonisti i veprës ka disa ngacmime nga opinioni publik, nga ekzekutivi lokal, pasi nuk janë kaq të ndjeshëm sa ai, për t’i shërbyer gjeneratave. Mua më duket që është një nga shembujt më sinjifikativë që njerëzit duhet ta duan dhe duhet të bëjnë sa të kenë mundësi”, thotë Kutali.

***

Problematika e shoqërive të ngurta, të kompleksuara, nënshtruarar nga konvencat provincialiste, reflektojnë konstanten themelore, që përshkon veprën e Pirandelos “Mendohu Xhakomino”. “Individi dhe të drejtat e tij themelore, qëndrojnë në pozita të brishta përballë mentalitetit të ngurtë, që reflekton mjedisi social, pjesë integrale e të cilit është çdo njëri prej nesh. Familja duhet mbrojtur me çdo kusht! Nëse mbrojmë familjen, kemi mbrojtur vetë jetën, emancipojmë shoqërinë ku jetojmë, zhvillojmë kushte më perfekte për të ardhmen e brazave” thotë regjisori.

Krishtlindja përreth botës

Titulli: “Krishtlindja përreth botës”

Koreografia: Rudina Demaliaj

Interpretojnë: Fëmijët e Shkollës së Baletit

Data: 16, 17, 18 Dhjetor

Ora 18:00

Në kuadër të festave të fundvitit, Qendra Kulturore Tirana (Teattri Metropol) organizon musikalin për fëmijë, “Krishtlindja përreth botës”. Kjo shfaqje e punuar nga koreografja Rudina Demaliaj, vjen për herë të parë në skenë , premierë ditën e premte, datë 16/12/2016 ora 18:00. Në këtë musical përfshihen pjesë teatrale, këngë për fëmijë, kërcime orienti, irlandeze, kineze, të gjitha të përshtatura në gjuhën shqipe. “Ky musical, flet për atmosferën e Krishtlindjes, si festohet ajo në vende të ndryshme të botës dhe Lindjen e Krishtit. Kemi përshfirë në të jo vetëm pjesë teatrale, por edhe këngë e kërcime, të gjitha të interpretuara nga fëmijët e Shkollës së Baletit të moshës 9- 14 vjeç”. Koncerti do të jetë në skenën “Shekspir” të Teatrit të Metropolit, në datat 16, 17, 18 dhjetor, ora 18:00 dhe zgjat 45 minuta.

Zgjohu, vëlla arush

Titulli: Zgjohu, vëlla arush

Regjia: Suela Xhonuzi

Autori: Janet Stanford

Interpretojnë: Klesta Shero, Ibrahim Selishta

Skena/ Kostumet: Ina Elezi

Premiera: 15/ 12/ 2016

Ora 11:00

“Zgjohu, vëlla arush”, vepra për fëmijë e shkruar nga Janet Stanford, vjen premierë në Qendrën Kulturore Tirana (Teatri Metropol) me regji nga Suela Xhonuzi. Është një shfaqje interaktive me publikun, ku fëmijët spektator nuk do të ndjekin vetëm shfaqjen ulur në karrige, por do të bëhen pjesë e saj, bashkë me aktorët Klesta Shero dhe Ibrahim Selishta. “Fëmijët sepktatorë do të bëhen edhe pjesë e aventurave të motrës arushe dhe vëlla arushit, duke u përfshirë në lojëra dhe argëtim benda në skenë. Fëmijët që do të vijnë në sallën tonë do të kalojnë të katërta stinët bashkë me vëllain dhe motrën arushë, dhe do t'i ndihmojnë ata që të bien sërish në gjumin letargjik. Eshtë një shfaqje e përshtatshme duke filluar që nga fëmijë e moshës tre vjeç dhe argëtimi i tyre do të jetë i sigurt”, thotë Xhonuzi. Autorja e Janet Stanford e ka menduar me kujdes çdo detaj që ka shkruar. Çdo perceptim do të vijë te fëmijët i qartë dhe me shumë dashuri dhe kujdes nga dy aktorët tanë. Regjisorja Suela Xhonuzi thotë – “Kjo shfaqje është surprizë edhe për mua, sepse të gjithë fëmijët që do të vijnë në sallë do të bëhen në disa raste aktorë dhe pjesë të caktuara të shfaqjes do të varen nga bashkëpunimi i tyre. Por kam siguri se kjo do ta bëjë akoma më argëtuese për ta, të gjithë shfaqjen dhe ky është qëllimi i vërtetë, që të vegjlit të argëtohen dhe të mësojnë sa më shumë.” Shfaqja shoqërohet me muzikë të Vivaldit. “Zgjohu, vëlla arush” do të jetë në skenë duke filluar nga dita e enjte, datë 15/ 12/ 2016 dhe çdo fundjavë në skenën “Shekspir” të Teatrit Metropol. Ora 11:00. Zgjat 45 minuta.

100 Fustanet

Titulli: 100 Fustanet

Autori: Eleanor Estes

Regjia: Jonida Beqo

As/ Regjisor: Edvin Mustafa

Interpretojnë: Klea Rondo, Algiona Aga, Brikena Hoxhalli, Deljana Topulli, Xhuljano Brisku, Donald Shehu, Klesta Shero, Vilma Hodo, Kastriot Ramollari, Aldi Hysotoci

Skena/ Kostumet: Ina elezi

Grupmosha: 10- 17 vjeç

Premiera: 2/12/ 2016

Ora 12:00

“100 Fustanet” është premiera më e re për grupmoshën 8-17 vjeç në Qendrën Kulturore Tirana, (Teatri Metropol). Shfaqja e shkruar nga Eleanor Estes dhe me regji nga Jonida Beqo, trajton tematikën e vetmisë, përfshirjen sociale, anti-bullizmin, kurajon, faljen, konsumerizmin, etj. Uanda Petronski është një adoleshente e vetmuar që dëshiron të bëhet shoqe me bashkëmoshatarët. Familja e saj, ka emigruar nga Polonia në vitin 1930, në një qytet të vogël amerikan dhe kështupërshtatja në shoqëri nuk është aq e thjeshtë. Disa nga shoqet e saj të klasës, e vënë vazhdimisht në lojë, e përbuznin për fustanin e vetëm që ka dhe për prejardhjen. Madi, një vajzë tjetër në klasën e saj, kupton që kjo nuk është sjellja e duhur me Uandën. Çdo ditë vajzat e pyesin Uandën se sa fustane ka në shtëpi dhe ajo përgjigjet “njëqind”. Vajzat qeshin dhe e tallin. Ky ngacmim filloi të bëhej i përhershëm dhe shumë i bezdishëm. Një ditë Uanda vendos të mos shkojë më në shkollë. Madi ndihet fajtore për këtë gjë dhe kupton që është po aq bashkëfajtore sa edhe shoqet e tjera të klasës me Unadën, pasi nuk ka reaguar kundër padrejtësisë që ka dëshmuar çdo ditë. Ajo vendos t’i shkojë Uandës në shtëpi dhe përballet me një gjetje të çuditshme. Në murin e dhomës së Uandës ishin varur “100 fustane” të vizatuara me dashuri. dedikuar secilës prej shoqeve të saj të klasës, pavarësisht nga sjellja e tyre. Premiera zgjat rreth 1 orë dhe do të shfaqet nesër në orën 12:00 në sallën “Çehov”, si dhe çdo të enjte, të premte, të shtunë e djelë.

Unë jam Shqipëtare

Me rastin e 125 vjetorit të hapjes së Shkollës së Vashave, Qendra Kulturore Tirana, (Teatri Metropol) në bashkëpunim me Insititutin për Studime Shqiptare dhe Protestante organizojnë një mbrëmje promovuese për tri botime të familjes Qiriazi. Familja Qiriazi, veçanërisht Gjerasim dhe Sevastie Qiriazi njihen për themelimin e shkollës së parë të vashave në Shqipëri. Dyert e kësaj shkolle u hapën më 23 tetor 1891, në një shtëpi të marrë me qira pranë Kishës Ortodokse të Shën Gjergjit, aty ku sot është Biblioteka e Korçës. Një vit më vonë Gjerasimi bleu një shtëpi dhe e meremetoi për klasat e shkollës së re, ku do të banonin nxënëset e shkollës. Gjatë kësaj mbrëmje promovuese në Teatrin Metropol, që do të mbahet sot në orën 19:00, në sallën “Shekspir”, përveçse inskenimit nga pjesë të ndryshme të librave, do të çelet edhe një ekspozitë me fotografi, dorëshkrime, kartolina e sende personale, disa të paekspozuar më parë në Shqipëri, materiale që sigurohen nga ISShP dhe nga Qendra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë. Ndërkaq gjatë mbrëmjes Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj do të nderoj figurën e znj. Sevasti Qiriazi – Dako me urdhrin “Simboli i Qytetit”.

Tre dhëndurët

Titulli: Tre dhëndurët

Autor: Dionis Bubani

Regjisor: Sonila Kapidani

Interpretojnë: Hajrie Rondo, Gëzim Rudi, Pjerin Vlashi, Aleksandër Kondi, Linda Jarani,

Shkëlzen Berisha, Roerd Toçe, Margent Caushi, Elona Hyseni, Margent Caushi

Gjinia: Komedi

Premiera: 20 tetor 2016

Salla “Çehov”

Ora 19:00

Rikthehet pas tre dekadash në skenë komedia “Tre Dhëndurët” nga autori Dionis Bubani dhe regji të Sonila Kapidanit në Teatrin Metropol. Kjo vepër e nxjerr nga Fondi i Artë i Estradës së Tiranës, rikthehen gjithashtu në skenë dhe aktoren e mirënjohur shqiptare, Hajrie Rondo. Vepra “Tre dhëndurët” është një komedi karakteresh e situatash shqiptare, e cila është vënë në skenë për herë të parë në vitin 1986 nga regjisori Pirro Mani. Është një shfaqje që trajton historinë e një familje në vitet ’40, ku problemi i tyre madhor, është martesa e vajzës së vetme. Ngjarjet zhvillohen në një kohë të shkurtër gjatë vitit 1943-1944 në një qytet në Jug të Shqipërisë, por të mbushur me ndodhi të mëdha. Atë kohë, ndodh kapitullimi i Italisë fashiste, gjithashtu tërheqja e gjermanëve Hitlerianë, përpjekja e anglezëve për t'u bërë faktorë e së fundmi ardhja e partizanëve që solli në fuqi Partinë e Punës. “Tre dhëndurë” është një vepër e Dionis Bubani, e cila ka sjell ngrohtësi si nga ana dramaturgjike po ashtu dhe nga ana sociale. Ajo del nga arkivi i Estradës së Tiranës dhe në dijeninë time nuk është vënë më në skenë që nga viti 1986. E mbaja mend nga fëmijëria ime, kam qenë 6 vjeç kur e kam parë dhe u kënaqa shumë që e gjetëm në arkiv. Kjo vepër përkon me sezonin tonë artistik, trajtimin e së vërtesës dhe me dëshirën për të vënë në skenë vepra cilësore të autorëve shqiptar. Vlerësoj partneritetin me regjisoren dhe së bashku me kastin e mrekullueshëm të aktorëve me larmi shumëbreznish dhe eksperiencash” shprehet Jonida Beqo, drejtoresha e Qendrës Kulturore Tirana (Teatri Metropol).  Për aktoren e mirënjohur Hajrie Rondo pjesëmarrja në këtë shfaqje e ka bërë të ndihet mirë. “Erdha në kohën e duhur dhe vendin e duhur, sepse gjeta ekipin e duhur, njerëzit e duhur dhe institucion me dinjiteët. Pashë që në këtë institucion punohet dhe dinjitetin ta jep puna, dhe unë njerëzit e punës i dua dhe i respektoj. Pashë një drejtoreshë tjetër jo nga ato tipiket, puna e saj është maratonë. Më janë krijuar kushtet dhe më është lehtësuar puna. Gjithashtu dhe një regjisore të talentuar, egzigjente, punëtore dhe bashëkpunuese të mirë. Falenderoj dhe gjithë ekipin e aktorëve për komditetin që më kanë krijuar” shprehet aktorja Hajrie Rondo.